Home » SHQIPËRIA NË FOKUS DHE ARMIQTË TANË

SHQIPËRIA NË FOKUS DHE ARMIQTË TANË

by Sabri Lushi

Situata politike në Shqipëri kërkon një vështrim serioz dhe të thellë. Siç duket qartë, problemi tashmë nuk është i lidhur me një individ, parti apo grup politik; gjithashtu, ajo nuk është rezultat i ndonjë ideologjie të gabuar politike – e majtë apo e djathtë. Problemi është më serioz dhe më i thellë.

Siç e dimë të gjithë, populli shqiptar është popull bujar, mikëpritës, sakrifikues për të tjerët, dhe mbi të gjitha, është popull i besës e i fjalës së dhënë. Dhe shqiptarin më të kurruptuar po ta vendosnim ne – në mënyrë realisht të pavarur – kryeministër, jam mëse i sigurtë që natyralisht do ta kishte dëshirën për të ndihmuar e zhvilluar popullin e tij, me gjithë të metat që mund të ketë një person normal.

Mbrapshtia e politikanëve tanë, që nga 1912 e deri më sot, nuk shpjegohet dot me faktin se janë thjeshtë të korruptuar, ashtu sikurse këta nuk reflektojnë aspak kulturën normale të një shqiptari mesatar. Aspak!

Sjellja e politikanëve tanë, që nga Ahmed Zogolli (më vonë Zogu), Enver Hoxha e deri tek këta që janë aktivë sot në politikë – të të gjithë spektrit, përputhet plotësisht me sjelljet e një qeverie të huaj e armike, që ka për objektiv shtypjen dhe shkatërrimin e një populli. Është tronditëse të shohësh se si këtyre iu mungon dhe dëshira pozitive më e vogël e mundshme për të bërë diçka për popullin tonë.

Gjithashtu, urrejtja e tyre ndaj nesh është evidente që nga fjalimet e tyre, nga retorika e mbushur me fjalor të egër, nga fjalët e përhapur nga gazetarët se gjoja shqiptarët nuk bëhen kurrë, e deri tek humori i monitoruar mirë nga shërbimet sekrete.

Sjellja e qeverisë shqiptare përputhet plotësisht me sjelljet e governatorëve të dikurshëm të Perandorisë Britanike në kolonitë e saj, perandori e cila kishte nën patronazh trojet shqiptare në Konferencën e Londrës në 1913.

Duke e ditur këtë sjellje të tyre prej armiku, politikanët tanë i kanë paraprirë maskimit të këtij fenomeni, duke futur në skenë Serbinë dhe Greqinë, kinse dhe po të kishte politikanë armiqësorë ndaj popullit shqiptar, mbas tyre qëndrojnë këta dy vende.

Le të jetë mëse e qartë se Serbia dhe Greqia nuk janë armiqtë e popullit tonë; nuk kanë se si të jenë dhe nuk janë as në pozitë për të qënë të tillë.

Nuk po them se Shqipëria është peng i agjendave shtypëse anglezo-amerikane. Këtu po them atë që duket qartë, se qeveria jonë është qeveri që zbaton agjenda dhe politika armiqësore ndaj popullit tonë, kulturë politike që nuk reflekton as dhe kulturën tradicionale shqiptare.

Nuk ka rëndësi nëse ka prej tyre që nuk kanë origjinë shqiptare, që nuk kanë lindur në Shqipëri, por ka rëndësi fakti: këta janë armiqtë tanë, që sillen më keq se çdo armik tradicional.

Sabri Lushi

Related Posts